Me shifrat e publikuara të enjten nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë arrin në 106,754, i viktimave në 2,218 dhe i të shëruarve në 98,787, shkruan Gazeta Sinjali.
Raste aktive aktualisht janë 5,749.
Të mërkurën, Kosova ka nisur fazën e dytë të vaksinimit të popullatës kundër koronavirusit, ku bëjnë pjesë personat e moshës 65-79 vjeç.
Vaksinimi në Kosovë ka nisur në fund të muajit mars, me 24,000 doza të vaksinës AstraZeneca, të siguruara nga programi Covax i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Këtë javë, Kosova ka marrë edhe mbi 38,000 doza të tjera vaksinash nga Covax, ndërkohë mbi 7,000 doza të tjera i ka siguruar si donacion nga Bashkimi Evropian.
Në anën tjetër, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, ka njoftuar se duke u bazuar në raportimet nga klinikat COVID të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe spitaleve të përgjithshme, të shtrirë për trajtim nga Sars-Cov-2, në nivel të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës janë 319 pacientë, 219 pacientë janë të konfirmuar me Sars-Cov-2 pozitivë, 25 pacientë janë në gjendje të rënduar shëndetësore dhe 225 janë nën asistim të okisgjenoterapisë.