Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, ka dhënë detaje se si qëndron kjo komunë sa i përket situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.
Gashi ka konfirmuar për Klan Kosovën se në Prishtinë gjenden 540 raste aktive me Covid-19, njofton Klan Kosova.
”Javën e fundit kishim një numër pak më të theksuar të rasteve në komunën tonë të cilat me rastet e sotit që ishin 36 aktive shpiejnë numrin në 540 raste aktive në kryeqytet”.
”Normalisht kjo është shifër e madhe dhe probabiliteti për të pasur raste të reja është shumë më i madh sesa në të kaluarën”.
”Kjo është një rritje bukur e madhe e cila normalisht duhet të jetë një sinjal që të gjithë të zbatojnë rekomandimet që vijnë nga IKSHPK dhe Ministria e Shëndetësisë”.
Cilat lagje janë më të prekura nga Covid-19?
”Është vështirë të specifikohet se cila lagje prin me Covid-19 sepse kemi afërsisht 30 lagje – thuajse të gjitha lagjet e komunës së Prishtinës – po ashtu dhe disa fshatra që kanë numrin e përafërt, lagjet më të mëdha prinë më numër të tyre siç janë Kodra e Trimave, Arbëria ose Ulpiana”.
Ka nga të infektuarit të prekur mjekë, apo personel shëndetësor?
”Deri të premten e kaluar, në kujdesin parësor shëndetësor nuk e kishim asnjë punëtorë të infektuar me Covid-19, por nga e premtja deri më sot kemi 12 punëtorë shëndetësorë të infektuar me Covid-19”.
”Tani jemi me 80 punëtorë shëndetësorë në vetizolim”.