Në Komunën e Prishtinës sot janë konfirmuar edhe 40 raste të reja me koronavirus. 34 mostra janë marrë në QKUK kurse 6 në QKMF në Prishtinë.
Kështu ka bërë të ditur Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Bujar Gashi.
“I kemi edhe 40 raste të reja me koronavirus në Prishtinë. 34 raste janë testuar në Qendrën Klinike Universitare kurse vetëm 6 prej tyre në Qendrat e Mjekësisë Familjare. Mostrat e këtyre 6 rasteve janë marrë dje”, ka thënë Gashi.
Ai tregoi se pasi ka ndryshuar strategjia e testimeve, IKSHPK dërgon listën e kontakteve të para në QKMF.
“Kryesisht kontaket e para dërgohen përmes listave nga IKSHPK në QKMF. Por numri më i madh i testimeve kryhet nga rastet me simptoma dhe atyre qe shtrihen në Klinikën Infektive”, ka deklaruar Gashi në Rtv Dukagjini.
Gashi ka folur edhe për ndryshimin e orarit në dy qendra të mjekësisë familjare. Ai ka thënë se Qendra Mati 1 dhe Vneshta do të punojnë vetëm me një ndërrim.
Deri më sot në Komunën e Prishtinës janë 508 raste aktive me koronavirus, ndërkaq 158 pacientë janë shëruar.