Pesë qytetarë të tjerë të moshave nga 39 deri në 85 vjeç nuk e kanë fituar dot betejën me koronavisurin në 24 orët e fundit, duke e çuar në 2,955 numrin total të viktimave që prej nisjes së pandemisë. Tre prej tyre janë nga Tirana, një nga Gramshi dhe një nga Dibra.
Shqetësuese mbetet situata në spitale, ku sërish këtë të dielë numri i pacientëve të shtruar ka pësuar rritje. Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se po marrin trajtim të specializuar mjekësor 184 pacientë, nga të cilët 14 janë në gjendje më të rëndë.
Situata nuk duket pozitive edhe sa i përket përhapjes së virusit, pasi është rritur shumë përqindja e rasteve pozitive tek të dyshuarit. Sipas të dhënave zyrtare, nga 2659 testime të kryera kanë rezultuar pozitive 568 qytetarë, ose thënë ndryshe janë konfirmuar si mbartës të virusit gati 21% e personave të testuar.
Harta e përhapja e virusit edhe në këtë 24-orësh ka qenë e shtrirë thuajse në të gjitha bashkitë, por Tirana kryeson me 299 infektime ose me më shumë se gjysmën e rasteve të konfirmuara. Pas saj vjen Durrësi me 26 raste, Vlora me 22, Berati me 20, ndërsa bashkitë e tjera kanë një numër më të vogël infektimesh. Aktualisht në mbarë vendin raportohen mbi 8 mijë raste aktive me Covid-19.