5 arsye pse duhet të hani më shumë qershi

Qershitë, qofshin ato të ëmbla apo të tharta, janë më shumë se vetëm një frutë e shijshme. 

Ato ofrojnë një sërë përfitimesh shëndetësore, duke përfshirë mbështetje për shëndetin e zemrës dhe trurit, uljen e inflamacionit dhe zvogëlimin e rrezikut të disa sëmundjeve kronike.

Yahoo Life ka shkruar se qershitë janë të mbushura me polifenole, të cilat janë antioksidantë të fuqishëm që ndihmojnë në mbrojtjen e qelizave nga dëmtimi si dhe luftojnë inflamacionin, diçka që luan një rol të rëndësishëm për shumë sëmundje kronike.

Ngjyra e thellë e kuqe dhe vjollcë e tyre vjen nga antocianinet, të cilat janë flavonoide të njohura për efektet e tyre antioksiduese dhe anti-inflamatore. 

Disa studime kanë sugjeruar se pirja e lëngut të qershive çdo ditë mund të rrisë nivelet e antioksidantëve në trup.

Nga përshpejtimi i rikuperimit të muskujve deri te promovimi i një gjumi më të mirë, qershitë mund të jenë të vogla, por kanë përfitime të mëdha.

Vlerat ushqyese të qershive

Qershitë janë burim i pasur me vlera ushqyese. Një gotë (138 gram) qershi me bërthamë përmban rreth 87 kalori, 22 gramë karbohidrate, 19 gramë sheqer natyral, 3 gramë fibra, 1.5 gramë proteina dhe pothuajse asnjë gram yndyrë.

Po ashtu, kjo gotë ofron afërsisht 10 miligramë vitaminë C, e cila mbulon rreth 13% të nevojave ditore për gratë dhe 11% për burrat. Vitamina C, e cila është antioksidant gjithashtu, është thelbësore për sistem të fortë imunitar dhe prodhimin e kolagjenit, që ndihmon në shërimin e plagëve.

Qershitë janë gjithashtu burim i shkëlqyer i kaliumi, me më shumë se 300 miligramë për një gotë, që është rreth 12% e nevojave ditore për gratë dhe 11% për burrat. Kaliumi është thelbësor për shëndetin e zemrës, kontraktimet e muskujve dhe funksionin e veshkave dhe nervave.

5 mënyra se si qershitë mund të përmirësojnë shëndetin

Qershitë, si fruta ashtu edhe lëngu, janë të mbushura me përfitime ushqimore.

Ato mund të përmirësojnë kujtesën dhe funksionin njohës

Antocianinët në qershi mund të kenë efekte mbrojtëse për trurin dhe të ndihmojnë për shëndet të mirë të tij. Studimet kanë sugjeruar se antocianinët mund të ndikojnë pozitivisht në bakteret e zorrëve, të cilat luajnë rol në lidhjen e zorrëve me trurin dhe mund të përmirësojnë simptomat tek ata që vuajnë nga sëmundjet neurodegjenerative si sëmundja e Alzheimerit dhe demenca.

Një studim ka treguar se të rriturit me demencë të lehtë deri në të mesme që pinë nga një gotë lëng qershie çdo ditë për 12 javë treguan përmirësime në shpejtësinë e fjalorit dhe kujtesën afatshkurtër dhe afatgjatë.

Ato ndihmojnë për gjumë më të mirë 

Studimet sugjerojnë që qershitë mund të ndihmojnë të rriturit të bien në gjumë më lehtë, të flenë më gjatë dhe të zgjohen më pak gjatë natës, madje edhe tek ata që kanë çrregullime të mëdha të gjumit.

Qershitë e tharta janë veçanërisht të pasura me fitokimikale që ndihmojnë gjumin, duke përfshirë melatoninë, hormon që ndihmon në rregullimin e ciklit të gjumit dhe zgjimit.

Qershitë mund të lehtësojnë dhimbjet e nyjave dhe artritin

Për shkak që janë të pasura me anti-inflamatorë, qershitë mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave për ata që vuajnë nga artriti, një gjendje që shkakton dhimbje, ënjtje dhe ngurtësi në nyje.

Një studim ka treguar se individët që në gjunjë kanë artrit të lehtë deri në të mesëm, të cilët pinë rreth 2 gota lëng qershie çdo ditë për gjashtë javë, kanë përjetuar lehtësim të simptomave dhe nivele më të lehta të inflamacionit në trup.

Qershitë mund të ulin presionin e gjakut

Pirja e lëngut të qershive mund të ndihmojë në uljen e presionit të gjakut (si sistolik, që është numri i sipërm, dhe diastolik, që është numri i poshtëm), për shkak të polifenoleve dhe përmbajtjes së kaliumit.

Disa studime sugjerojnë se konsumimi i një doze të lëngut të qershive (pak më shumë se një gotë) mund të ulë presionin e gjakut te të rriturit brenda dy orëve, megjithatë presioni i gjakut shpesh kthehet në nivelin fillestar pas gjashtë orësh.

Qershitë ndihmojnë në rikuperim pas ushtrimeve

Lëngu i qershive të tharta është ndihmës i njohur për rikuperimin e muskujve për shumë atletë. Konsistenca ka rëndësi për rezultatet më të mira. Pirja e lëngut të qershive dy herë në ditë për disa ditë para dhe pas ushtrimeve intensive lidhet me rikuperimin më të shpejtë të muskujve.

Sa shumë duhet të konsumoni?

Ndërsa ka prova të forta që qershitë dhe lëngu i tyre ofrojnë përfitime shëndetësore, sasia e rekomanduar ditore nuk është plotësisht e qartë.

Disa studime sugjerojnë që vetëm një tas me qershi (rreth 45 qershi) mund të rrisë nivelet e antioksidantëve dhe të ulë treguesit e inflamacionit dhe nivelet e acidit urik, që luajnë rol të rëndësishëm në zorrë. Të tjerë kanë vërejtur ndikimin e pirjes së 2 gotave me lëng qershie çdo ditë.