Policia e Kosovës ka raportuar për 48 arrestime në gjithë vendin si pasojë e mosrespektimit të masave të lëvizjes në 24-orëshin e fundit.
Sipas njoftimit të Policisë, rastet janë në qytetet Prishtinë, Gjilan, Prizren dhe Mitrovicë. Më së shumti raste të arrestimit janë shënuar në Prizren, gjithsej 26, pason Gjilani me 9, Prishtina me 7 dhe Mitrovica me 6.
Sipas Policisë, shumica e të ndaluarve janë liruar dhe ndaj tyre do të ndiqet procedurë e rregullt.
Me vendimin e fundit të Qeverisë në detyrë, qytetarët kanë të drejtë lëvizjeje për 90 minuta në ditë.