Ministria e Shëndetësisë në një konferencë për media ka konfirmuar se sot në Kosovë janë shënuar dy viktima nga COVID-19.
Kurse pozitivë në 24 orët e fundit në Kosovë kanë rezultuar 46 persona.
Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka thënë se janë testuar 560 mostra.
“Situata ka një rënie të përgjithshme. Gjatë 24 orëve janë testuar 560 mostra, nga të cilat 46 pozitive. 13 mijë e 165 raste e të shëruarve në nivel të Kosovës”, ka thënë Ramadani.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në konferencë ka thënë se rezultatet pozitive të shënuara ditëve të fundit janë kontribut edhe i mediave të cilët kanë raportuar nga klinikat e QKUK-së. Ai ka paralajmëruar gjobitje të bizneseve apo individëve në rast se vendimet e fundit të Qeverisë për lehtësim të masave nuk do repsektohen.
“Të gjitha aktivitete e lejuara duhet të bazohen me udhëzime dhe Manualin për COVID-19. Bazuar në kompetencat për MSH-së dhe institucioneve të tjera që janë dhënë nga ligji COVID, do të gjobitën ata që shkelin rregullat e përcaktuara”, duke shtuar se do shtohen edhe 75 inspektorë për të inspektuar respektimin e tyre.
Zemaj e ka quajtur lajm të mirë ardhjen e ekipit të ekspertëve nga Gjermania, për të cilët tha se po punojnë bashkë.
“Lajmi më mirë është se instituti Robert Koch ka futur edhe njohjen e testit të IKSHPK-së”, tha ai.
Njoftimi i plotë:
77 TË SHËRUAR DHE 46 RASTE ME COVID-19!
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 560 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 46 raste pozitive. Brenda 24 orëve janë raportuar dy raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv.
Numri total i rasteve pozitive është 15.425 raste nga 65.454 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 619 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 77 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 13.165 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.641.
Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 21 raste, komuna Drenas 3 raste, komuna Ferizaj 3 raste, komuna Fushë Kosovë 3 raste, komuna Suharekë 3 raste, komuna Vushtrri 3 raste, komuna Gjilan 2 raste dhe me nga një rast komunat Deçan, Gjakovë, Kamenicë, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Shtërpcë dhe Viti.
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!