Në Kosovë për një javë 42 persona nuk i mbijetuan betejës me koronavirus dhe humbën jetën. Numri më i lartë i viktimave gjatë kësaj jave u shënua sot, ditë e diele me 11 viktima.
Gjatë kësaj javë në Kosovë u infektuan 13,062 persona, numër ky jashtëzakonisht i lartë, njofton Klankosova.tv.
Sipas raportit të Ministrisë së Shëndetësisë një nga viktimat që humbën jetën gjatë 24 orëve të fundit është edhe një 19 vjeçar.
Në këtë javë, numri më i lartë i të infektuarve me koronavirus është raportuar në ditën e shtunë me 2,279 raste pozitive të infektuar për një ditë.
Tashmë në Kosovë dominant i rasteve pozitive me koronavirus është Delta i cili është variant i ri i koronavirusit që është shumë më i rrezikshëm pasi një person mund të infektojë dhjetë persona, ndërsa sipas studimeve ky variant infekton më shumë të rinjtë.
Megjithatë me gjithë shpejtësinë e përhapjes së variantit Delta në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës po thotë se këtij varianti ia kanë ndalur turrin.
”Delta variantit ia kemi ndalë turrin edhe pse akoma po raportohen shumë raste pozitive dhe shumë vdekje duke shprehur ngushëllime për të gjithë familjarët!”.
Ndërkohë IKSHPK-ja vazhdimisht apelon për vaksinim të popullatës si forma e vetme preventive ndaj infektimit me koronavirus.