Gjatë 10 ditëve të para të vitit 2021 në Kosovë kanë ndërruar jetë 42 qytetarë të cilët ishin të prekur me COVID-19.
Në mesin e tyre ishte edhe 19-vjeçarja nga Mitrovica, Nazlije Sherifi, e cila sipas IKSHPK-së rezultoi dy herë pozitive me koronavirus, ndonëse familja e saj ka paralajmëruar padi ndaj këtij instituti për, siç thanë ata, “manipulim të rezultateve”.
Bazuar në të dhënat e IKSHPK-së, Nazlija është personi më i ri në Kosovë që ndërroi jetë pasi që ishte infektuar me virusin korona.
Ndërkohë, personi më i vjetër që ndërroi jetë si pasojë e infektimit me COVID-19, gjatë dhjetë ditëve të para të janarit, ishte një 90-vjeçar nga Prizreni, i cili vdiq më 3 janar.
Kjo shifër e çoi në 1 mijë e 377 numrin e të vdekurve në Kosovë nga ky virus.
Gjersa, në dhjetëditëshin e parë të këtij viti në Kosovë u regjistruan 2 mijë e 448 raste të reja, ndërkaq u shëruan 4 mijë e 852 të tjerë.
Që nga fillimi i pandemisë deri më sot, IKSHPK njofton se janë testuar 197 mijë e 61 persona, prej të cilëve 53 mijë e 776 rezultuan pozitivë.
Nga të gjithë personat që u infektuan, 46 mijë e 259 arritën të shërohen plotësisht nga COVID-19.
Numri i rasteve aktive në vend momentalisht është 6 mijë e 140.