405 biznese kineze dhe një nga Rusia janë aktive në Kosovë

Në vitet e pasluftës, Kodra e Trimave në kryeqytet ishte shndërruar në një lloj zone ekonomike për kinezët. Por qe një dekadë, atje nuk duket asnjë gjurmë e tyre.

Megjithatë, në Kosovë ende ka biznese me prejardhje aziatike.

Sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, aktualisht janë 405 biznese aktive me origjinë kineze, ndërsa janë shuar 39 sosh. Kurse është i regjistruar edhe një biznes rus.

Sipas ekonomistit Mustafë Kadriaj, kinezët tash e shohin Kosovën treg të vogël, teksa në vitet para pavarësisë e kishin shfrytëzuar vakuumin institucional për operim, duke përdorur fuqinë e UNMIK-ut asokohe.

Edhe pse brenda shtetit, Kina e ka humbur aktivitetin, ajo vazhdon t’i ketë prezente produktet e saj. Më 2021, të dhënat e doganës thonë se janë importuar mallra kineze në vlerë mbi 1 milion e 950 mijë euro, teksa tregti nuk është bërë me Rusinë.

Kina nuk konsiderohet shtet strategjik për ekonominë kosovare. Për më tepër, disa produkte të saj janë ndaluar përkohësisht nga qeveria.

Bëhet fjalë për dy lloje kamerash të sigurisë, Hik Vision dhe Dahua, të cilat janë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.