4 të vdekur e 124 raste të reja me koronavirus në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri bëri të ditur se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 4 persona, ndërsa janë regjistruar 124 raste të reja me Covid-19.

Nga ana tjetër listës së të shëruarve i janë shtuar edhe 41 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3268. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po marrin trajtim 116 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid19, ku 19 prej tyre janë në terapi intensive dhe katër të intubuar.

Sipas ministrisë, qytetarët që kanë humbur jetën janë një nga Shkodra dhe tre nga Tirana. Autoritetet shëndetësore që nga fillimi i pandemisë dhe deri sot, kanë kryer 45381 testime, prej të cilave 6275 kanë rezultuar pozitivë.

Për shkak të pandemisë deri tani në Shqipëri kanë humbur jetën 193 qytetarë, pjesa dërrmuese e tyre me sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.

Qarku më i prekur për numrin e viktimave nga Covid-19 vijon të mbetet Tirana, e ndjekur nga Durrësi, Shkodra dhe Fieri.