89 për qind e nxënësve të Kosovës kanë ndjekur mësimin online gjatë pandemisë Covid-19, ndërsa 32 mijë nxënës nuk kanë ndjekur fare mësimin online.
Këto u bënë të ditura nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj në Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturё, Rini dhe Sport ku u diskutua lidhur me organizimin e mësimit në distancë gjatë periudhës me pandemi.
Likaj tha se pjesëmarrja e nxënësve në mësimin online ka qenë e kënaqshme.
“Pjesëmarrja në mësimin online ka qenë e kënaqshme, ku 89.4 për qind e nxënësve janë mbuluar me mësimin në distancë. Një pjesë e nxënësve nuk kanë pasur teknologji dhe nuk kanë pasur sinjal televiziv ku është transmetuar mësimi në distancë. Rreth 32 mijë nxënës nuk kanë marrë pjesë në mësimin online. Fëmijët me aftësi të kufizuara, kjo kategori ka pasur vështirësi”.
Shqetësuese tha se është se nuk ka pasur një përshtatje të kurrikulave me mësimin online, ku tha se i kanë ngarkuar ndonjëherë fëmijët me detyra të tepërta.
Sa i përket mbajtjes së testit të arritshmërisë dhe atë të maturës, ai tha se dje kanë vendosur që këto testime të mbahen.
“E kemi testim e arritshmërisë dhe të maturës, ka qenë një konkluzion se mund të vijohet me mbajtjen e testit. Sugjerimi i tyre është që të vazhdohet me testin e arritshmërisë. Ju kam ofruar që të shtyhet për një periudhë të caktuar, por ata kanë qenë që të mbahet në afatet kohore”, tha Likaj.