31 persona janë ndaluar nga Policia e Kosovës, pasi nuk kanë respektuar masat e vendosura nga autoritetet për të parandaluar përhapjen e mëtejmë të koronavirusit.
Kështu bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, ku thuhet se 31 persona kanë shkelur rregullat. Në Prizren është numri më i lartë i personave që nuk kanë respektuar masat, përkatësisht janë ndaluar 19 persona. Ndërkaq, në Gjilan janë ndaluar nëntë persona, në Mitrovicë të Jugut dy dhe një person është ndaluar në Ferizaj.
Më 4 maj, në Kosovë ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit kundër koronavirusit.
Qytetarët kanë të drejtë të dalin 90 minuta paradite dhe 90 minuta pasdite. Orari i qarkullimit bazohet në numrin e parafundit të numrit personal në letërnjoftim. Në fazën e parë është lejuar edhe rihapja e disa bizneseve.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, deri më tani në Kosovë janë regjistruar 880 persona të infektuar, 653 të shëruar dhe 28 pacientë kanë vdekur si pasojë e sëmundjes, COVID-19, që shkakton koronavirusi.