273 milionë dollarë në mbeturina, hodhi gabimisht Hard Diskun me 7500 Bitcoins


Një britanik që aksidentalisht kishte hedhur në plehra një hard disk që mbante bitcoin-s, i ka ofruar autoriteteve lokale më shumë se 70 milionë dollarë që ta lejojnë të kërkojë në landfill.

Punonjësi IT, James Howells, e hodhi në plehra hard diskun që kishte 7500 bitcoins, mes qershorit dhe gushtit 2013. Ai i kishte siguruar monedhat virtuale katër vite më parë, kur vlera e tyre ishte e vogël.

Por, kur kriptomonedha fitoi vlerë dhe ai u kujtua ta kërkonte, zbuloi se gabimisht e kishte hedhur hard diskun në plehra. Tani, bitcoin-ët e hedhura prej tij kanë fituar akoma më shumë vlerë dhe Howells i është drejtuar këshillit lokal të qytetit të Newport-it, për t’i kërkuar leje të gërmojë në një seksion specifik të landfillit ku ai beson se ka përfunduar hard disku.

Në këmbim, ai i ka ofruar këshillit një të tretën e vlerës aktuale të bitcoins-ëve të tij, që thotë se mund ti shpërndahet banorëve lokalë. Monedha digjitale u krijua në 2009, nga një programues anonim kompjuteri ose një grup programuesish, të njohur si Satoshi Nakamoto. Bitcoins janë në thelb dosje kompjuterike që magazinohen në një portofol digjital. Ato mund të përdoren si mënyrë pagese, me çdo transaksion që regjistrohet në një listë publike të njohur si Blockchain.

Çmimi i një bitcoini shënoi një rekord të të gjitha kohërave këto ditë dhe tani po këmbehet me rreth 37 mijë dollarë. Kur Howells zbuloi se hard disku nuk ishte më, bitcoinsat e tij kishin rreth 9 milionë dollarë vlerë. Sipas këmbimit aktual, ato tani vlejnë 273 milionë dollarë.