Pak ditë para se Albin Kurti të marr pozitën e kryeministrit të Kosovës, Drejtorit të Doganës, Bahri Berisha, iu vazhdua mandati. Ishte Ramush Haradinaj ai që nënshkroi vazhdimin e mandatit, ani pse ishte kryeministër në detyrë. Më tu votuar qeveria Kurti, kryeministri anuloi vendimin e Haradinajt për të mundësuar shpalljen e konkursit në mënyrë të rregullt.
Në konkursin e fundit të Ministrisë së Financave, për Drejtor të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, kanë aplikuar 26 persona, prej të cilëve 11 janë zyrtarë të Doganës. Në mesin e aplikantëve janë edhe ish drejtori Bahri Berisha dhe ushtruesi i tanishëm i detyrës së Drejtorit, Ibrahim Xhaka.
IndeksOnline ka siguruar pjesërisht listën e kandidatëve për pozitën e të parit të doganës. Nga lista prej 26 kandidatëve të cilët kanë aplikuar për drejtor të Doganës, 11 prej tyre janë zyrtarë në këtë institucion.
Në vazhdim janë emrat e aplikantëve: Bastri Bardhi, Bekim Mehmetaj, Arlind Limani, Irfan Fejzullahu, Agim Nika, Agron Llugaliu, Bahri Berisha, Ibrahim Xhaka, Gazmend Maloku, Asllan Rahmani, Osman Neziri, Skender Neziri, Bashkim Arifi, Agron Sadiku, Besim Curri, Mimoza Vila, Ekrem Hajdari, Besmir Çollaku dhe Driton Kurshumliu. Por përveç kësaj liste, janë edhe tetë të tjerë që janë në garë për këtë pozitë.
Në konkursin e MF-së për këtë pozitë jepet edhe përshkrimi i përgjithshëm i konkursit: “Dogana e Kosovës është institucioni i vetëm kompetent për të ushtruar funksionet doganore në emër të Republikës së Kosovës. Detyrat dhe përgjegjësitë e Drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës janë paraparë me nenin 6 dhe 7 të Kodit Doganor dhe të Akcizave në Kosovë Nr. 03/L -109, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 04/L-099, Ligjin Nr. 04/L-115 dhe me Ligjin Nr. 04/L-273, me të cilin kod janë përcaktuar edhe detyrat dhe përgjegjësitë e Doganës së Kosovës. Në përputhje me nenin 5 të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Ministri i Financave dhe Transfereve shpallë konkursin për Drejtor të përgjithshëm dhe themelon komision për përzgjedhjen e kandidatit të rekomanduar, të cilin më pastaj e emëron Kryeministri i Republikës së Kosovës”.
Konkursi nga MF ishte shpallur me 12 shkurt, ku të interesuarit kanë mundur të aplikojnë për këtë pozitë deri me 26 të muajit të kaluar.