2500 viktima nga bombardimet ruse në Ukrainë

Numri i personave që humbën jetën në Mariupol, një qytet port në Ukrainën jugore, i rrethuar dhe i bombarduar nga trupat ruse që nga fillimi i luftës ka shkuar në 2 mijë e 500 të vrarë.

Ky numër tragjik viktimash u bë me dije nga Oleksiy Arestovych, këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Kjo është një katastrofë të cilës bota nuk i ka dhënë një vlerësim të duhur”, theksoi ai.

Sipas tij, të dhënat janë mësuar nga administrata komunale e Mariupolit, ndërsa më tej akuzoi Rusinë për pengimin e mbërritjes në qytet të ndihmave humanitare.

“Ushtria jonë po ia del mbanë atje, ditën e djeshme ata arritën të mposhtin një tjetër përpjekje për një përparim të autoblindave në Mariupol, duke zënë edhe robër lufte”, tha Arestovych.

Administrata e qytetit të Mariupolit konfirmoi të dielën se një kolonë e madhe me ndihma humanitare e destinuar për qytetin e rrethuar nuk kishte mbërritur dhe ishte ende e bllokuar në Berdyansk, rreth 50 milje në perëndim.

Berdyansk mbahet nga forcat ruse. Një banor i Mariupolit ka paraqitur një pamje të zymtë të situatës në qytet.