Sot bëhen 24 vjet nga masakra e Izbicës në Skenderaj dhe ajo në Podujevë në familjet Bogujevci, Duriqi e Llugaliu.
Më 28 mars 1999, forcat serbe vranë 130 civilë shqiptarë në Izbicë të Skenderajt.
Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.
Muhamet Alidemaj u arrestua para dy vjetësh pas kthimit nga Serbia në shtëpinë e prindërve të tij në fshatin Kërrninë të Istogut. Mbi të rëndojnë akuzat për krime lufte ndaj popullatës civile shqiptare, përfshirë pjesëmarrjen në Masakrën e Izbicës, për trajtim çnjerëzor, cenim të integritetit trupor dhe të shëndetit të popullatës civile, për plaçkitje e shkatërrim të pasurisë së civilëve dhe për pjesëmarrje në zhvarrosjen e kufomave të masakrës së Izbicës, që u rivarrosën në Suhodoll të Mitrovicës, në Novolan të Vushtrrisë e në një poligon të qitjes të policisë serbe në Batajnicë të Beogradit.
Në të njëjtën ditë, Kosova kujton edhe 14 anëtarët e familjeve Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, të vrarë në Podujevë.
Gjatë ditës krerët institucionalë pritet të bëjnë homazhe te Memoriali në Izbicë e te varrezat e familjeve Bogujevci dhe Duriqi në Podujevë.