Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), ka njoftuar se janë konfirmuar të martën edhe 24 raste të reja me koronavirus në Kosovë. Në total numri i të infektuarve ka shkuar në 919.
“Sot më 12 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 257 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 24 raste”, ka njoftuar IKSHPK-ja.
Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Gjilanit 14 raste (sipas vendbanimit: 6 raste Përlepnicë, 5 raste Gjilan, 1 rast Velekincë, 1 rast Cërnicë dhe 1 rast Livoç i epërm), komuna e Prishtinës 4 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Prishtinë), komuna e Vushtrrisë 3 raste (sipas vendbanimit: 2 raste Vushtrri dhe 1 rast Pestovë) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Topanicë-Kamenicë, Mitrovicë dhe Talinoc i Jerlive – Ferizaj.
“Sot më 12 maj 2020, janë shëruar edhe 14 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 671 raste”.
Më datë 12 maj 2020, nga Klinika Infektive është raportuar edhe 1 rast i vdekjes, e gjinisë femër me moshë 63 vjeç me vendbanim në Rahovec dhe e konfirmuar me COVID-19 me datë 02.05.2020. Pacientja është hospitalizuar në Klinikën Infektive me datë 03.05.2020 në gjendje të rënduar me Infiltrim pulmonar bilateral dhe sëmundje shoqëruese: Insuficiencë renale kronike, Hemodializë të rregullt, Anemi sekondare, Fibrilatio atriorum permanens, Kardiomiopati kronike.
Nga data 08 shkurt deri më 12 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 10.387 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 919 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.