221 raste me COVID-19 në 7 ditët e fundit në Kosovë

221 raste me koronavirus janë regjistruar në shtatë ditët e fundit në Kosovë.

Pas disa muajsh ku Kosova në vazhdimësi ka regjistruar numër të ulët të rasteve me COVID-19, ditëve të fundit ato janë rritur.

Ndërkohë që në vend janë regjistruar edhe rastet e para me variantin Omicron. Më 26 dhjetor Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, raportoi se janë regjistruar nëntë raste me këtë variant, duke hyrë edhe Kosova në mesin e vendeve të rajonit të cilat tashmë veç i kanë regjistruar rastet e para me Omicron.

Nga Ministria e Shëndetësisë është bërë thirrje për shmangie të turmave dhe respektim të masave në fuqi, porse kafenetë dhe sheshet janë përplot njerëz.

Një numër i madh i bashkëatdhetarëve gjithashtu kanë ardhur në Kosovë për festat e fundvitit, e që nga institucionet përkatëse është bërë thirrje për kujdes.

Aktualisht në nivel vendi janë 509 raste aktive me COVID-19.

Shumë vende të botës janë duke u përballur me numër të madh të rasteve me koronavirus, gjithashtu të infektuar edhe me variantin Omicron, për të cilin është konstatuar edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që shpërndahet shumë shpejtë.