21 të arrestuar e tre të lënduar nga incidenti në Podujevë


Janë arrestuar 21 persona, ndërsa tre kanë mbetur të lënduar nga incidenti pas ndeshjes në mes të Llapit dhe Ballkanit e zhvilluar të dielën pasdite në stadiumin “Zahir Pajaziti’ në Podujevë.

Kështu shkruan në raportin e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

Në incident, siç shkruan në raportin e Policisë, tifozët e ekipeve janë përleshur duke përdoruar dhe gjuajtur mjete të forta.

“Si pasojë e përleshjes deri tani është raportuar se janë lënduar 2 zyrtarë policor, të cilët ishin në detyrë, të angazhuar për menaxhimin e situatës. Ndërsa nga ana e tifozëve, deri tani është raportuar për tre të lënduar. Bazuar në të dhënat fillestare, ngjarja ka filluar në stadium, ku janë shkaktuar dëme materiale, (dëmtim i ulëseve), më pas ka vazhduar në rrugët ‘Besnik Restelica’ dhe ‘Zahir Pajaziti’, ku janë dëmtuar tri vetura dhe një autobus. Pas vënies nën kontrollë të situatës, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisë një hetim për ngjarjen. Hetuesit policor në vazhdimësi janë duke ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të identifikimit dhe procedimit e të gjithë të dyshuarve të përfshirë në këtë ngjarje”, shkruan në raportin e Policisë së Kosovës.