Gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë, nga 18 viktima prej koronavirusit, një nga ta ishte edhe një 20 vjeçare nga Gjakova.
Çka e bën ngjarjen edhe më tragjike, është se babai i viktimës po ashtu kishte humbur betejën me COVID-19 ditë më parë.
Këtë e ka bërë të ditur kandidatja për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.
“E trishtuar nga humbja e edhe një jete të re nga virusi Covid 19, Rumejsa Abdurrahim Hoxha nga Gjakova.“
“Rumejsa e ndjerë ditë më parë humbi Babain e saj Abdurrahimin, duke e lënë kështu Nënën e saj për pak ditë në mes, pa bashkëshortin dhe vajzën” ka shkruar Kusari-Lila në Facebook.
“Në këtë tragjedi familjare, ju shpreh ngushëllimet e mia më të thella, Nënës së Rumejsës, gjithë familjes Hoxha, miqëve dhe bashkëpunëtorëve të ndjerit Abdurrahim dhe vajzës Rumejsës.“
Në fund, Kusari-Lila i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të vaksinohen.
“Gjithë qytetarëve të komunës së Gjakovës dhe mbarë Kosovës, virusi është duke u shpërndarë shumë shpejt, me pasoja shumë të rënda për shëndetin. E vetmja mbrojtje është vaksinimi dhe respektimi i masave të prezantuara nga institucionet e shëndetit publik.”
“Vaksinohuni, shpëtoni jetën tuaj dhe të afërmëve tuaj!”