Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë një konference për media, të mbajtur sot pas takimeve të vazhdueshme që ka pasur me Komitetin për menaxhimin e COVID-19 dhe me Këshillin e Sigurisë së Kosovës, në të cilat janë shqyrtuar dhe janë ndërmarrë masa të reja për menaxhimin e kësaj pandemie, si dhe për takimin e nivelit të lartë që është mbajtur sot nëpërmjet video-konferencës në mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Ai ka bërë të ditur se Ministria e Financave ka ndarë 9.2 milionë euro, për t’i përmbushur nevojat për masat anti COVID-19.
“Ministria e Financave ka vënë në dispozicion 9.2 milionë euro në bazë të planit të veprimit të përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë për të bërë të gjitha blerjet e nevojshme. Policia është angazhuar që të përgatisë planin e detajuar operativ për të bashkëpunuar me komunat dhe me inspektoratin sanitar. FSK-ja, gjithashtu, ka marrë për obligim që të vërë në dispozicion shtretër shtesë sipas nevojës që mund të ketë Klinika Infektive dhe shërbimi spitalor”, tha Hoti.
Fjala e plotë e kryeministrit Avdullah Hoti në konferencën për media:
Mirëdita të gjithëve, më lejoni t’ju përshëndes dhe t’ju falënderoj për prezencën në këtë numër!
Dëshiroj fillimisht t’ju informoj për diskutimet që kemi pasur dje dhe sot lidhur me menaxhimin e situatës me COVID 19.
Siç e keni parë në bazë të shifrave që po prezantohen nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, gjendja po rëndohet, jemi gati në limitet e kapaciteteve shëndetësore. Jemi duke bërë të pamundurën përmes shërbimit spitalor, spitaleve rajonale, spitaleve private dhe institucioneve të tjera, me FSK-në dhe institucionet e tjera, që të krijojmë kapacitete shtesë shëndetësore.
Më lejoni, me këtë rast, që në emër të Qeverisë të shpreh keqardhje për të gjitha ato familje që kanë humbur të afërmit e tyre gjatë kësaj pandemie dhe atyre që janë të prekur t’u uroj shërim të shpejtë.
Në javët e fundit ne kemi marrë një numër të madh të masave, që kanë qenë kryesisht masa për të shtuar kapacitetet tona të institucioneve shëndetësore dhe për t’u përgatitur për të ardhmen, për valën e dytë dhe për vjeshtë për këtë pandemi, duke riorganizuar komplet shërbimin spitalor në funksion të vënies së kapaciteteve për këtë pandemi. Duke riorganizuar stafin shëndetësor në funksion të menaxhimit të situatës, duke nisur procedurat për blerjen e testeve shtesë për COVID dhe terapi për COVID, injeksionet potenciale që mund të priten, por edhe injeksionet për gripin sezonal.
Gjithashtu, kemi marrë masa shtesë të kufizimit të aktivitetit ekonomik në disa prej veprimtarive, ku ne mendojmë se më së shumti është përhapur ky virus.
Në dy-tri ditët e fundit kemi shqyrtuar masat e reja. Kemi shqyrtuar dy skenarë nga ekspertët shëndetësorë, duke shqyrtuar edhe përvojat e vendeve të tjera.
Skenari i parë që nënkupton zbatim shumë rigoroz të masave ekzistuese dhe ndërmarrjen e masave të reja dhe skenari i dytë që është shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.
Unë kam zhvilluar konsultime gjatë këtyre ditëve me të gjitha grupet e interesit, me nivelin komunal, me një pjesë të komunitetit të bizneseve, me anëtarë të Qeverisë, me Komitetin COVID, qe dy herë që po takohemi për këtë çështje.
Jemi duke ndërtuar një strategji mediale që të merremi me këtë situatë të re. Sapo e kryem edhe mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës dhe ka një pajtueshmëri të përgjithshme që të shkojmë përpara me skenarin e parë. Pra, me marrjen e masave shtesë dhe me rigorozitet të plotë në zbatimin e atyre masave dhe që ta përcjellim situatën, në ditët dhe javët e ardhshme, duke mos e përjashtuar fillimin dhe ndjekjen e procedurave kushtetuese për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Pra, jemi dakorduar që të shkojmë përpara me skenarin një.
Menjëherë, sot do të votojmë në mbledhje të Qeverisë një listë të gjatë të masave shtesë të propozuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe të propozuara në Qeveri nga ministri i Shëndetësisë.
Ministria e Financave ka vënë në dispozicion 9.2 milionë euro në bazë të planit të veprimit të përgatitur nga Ministria e Shëndetësisë për të bërë të gjitha blerjet e nevojshme. Policia është angazhuar që të përgatisë planin e detajuar operativ për të bashkëpunuar me komunat dhe me inspektoratin sanitar. FSK-ja, gjithashtu, ka marrë për obligim që të vërë në dispozicion shtretër shtesë sipas nevojës që mund të ketë Klinika Infektive dhe shërbimi spitalor.
Jemi dakorduar që të kujdesemi nga afër për funksionimin e ndërmarrjeve publike gjatë kësaj periudhe, sepse është tepër e rëndësishme dhe gjithashtu jemi dakorduar që të aktivizojmë plotësisht Qendrën e situatave në kuadër të Këshillit të Sigurisë.
Masat shtesë, të cilat do të propozohen sot në mbledhjen elektronike të Qeverisë, do të jenë shumë më rigoroze, se ato që kemi marrë më herët, sepse masat më efektive për të parandaluar përhapjen e COVID-it mbesin të thjeshta: maska, distanca, higjiena.
Me vetëm këto tri masa ne shpëtojmë jetën e qytetarëve. Këtu do ta angazhojmë plotësisht, me asistencë të plotë të policisë, Inspektoratin Sanitar, për të shqiptuar gjoba, në përputhje me Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse.
Më lejoni t’ju them se nuk do të ketë asnjë lloj tolerance ndaj askujt, i cili nuk i respekton vendimet e qeverisë. Është e papranueshme që ndërkohë që vendimet e qeverisë janë në fuqi, ndërkohë që inspektorati është në terren dhe policia është në terren, organizohen dasma dhe ahengje nëpër qytete të ndryshme dhe nëpër fshatra të ndryshme anembanë Kosovës.
Me këto veprime të papërgjegjshme ne e rrezikojmë jetën e fëmijëve tanë dhe jetën e prindërve tanë. Kjo është e vërteta!
Masat e tjera do të nënkuptojnë që të obligojmë të gjitha institucionet, bizneset, çdo vend publik që të ketë dezinfektues, të vendosen në çdo objekt, detyrohemi që të ndalojmë komplet tubimet publike edhe ritet fetare, për një kohë, derisa nuk bëjmë një vlerësim tjetër të situatës, dhe në këtë drejtim unë kërkoj mirëkuptimin e krerëve të institucioneve fetare dhe të gjithë njerëzve të përfshirë në këto çështje.
Kjo është qasja jonë që jemi dakorduar në dy ditët e fundit, edhe në Komitetin COVID edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, dhe në fund me Këshillin për Siguri të Kosovës. Shkojmë momentalisht me skenarin e parë, me masa rigoroze të mbikëqyrjes dhe shqiptimit të gjobave për ata që nuk i respektojnë këto masa, dhe lëmë të hapur mundësinë që të ndjekim procedurat kushtetuese për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.
Gjatë kësaj periudhe do të kemi një strategji agresive mediale për të vetëdijesuar secilin qytetar, sepse në bazë të vlerësimeve del që 30% e qytetarëve nuk besojnë që COVID- i është problem real për jetën e tyre, dhe kjo nuk ka asnjë kuptim. Do të keni storie, do të detyrohemi të tregojmë storie çdo ditë nga Klinika Infektive se si pacientët përballen me jetë me këtë sëmundje, se si stafi shëndetësor sfilitet 24 orë për të ofruar shërbime për këta njerëz. Do të kërkojmë mirëkuptimin edhe të anëtarëve të familjeve që i kanë humbur të dashurit e tyre që të ndajnë storiet e tyre me qytetarët, që ta shohin secili në familjet tona në mbrëmje, kur i shohin lajmet qendrore, ta shohim se sa serioze është situata. Kjo nuk është çështje e një imazhi publik, por është çështje për jetë a vdekje të familjarëve tonë.
E dyta që dëshiroj t’ju informoj sot është takimi i nivelit të lartë që sot kemi pasur të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, lidhur me procesin e dialogut përmes video-konferencës. Ky takim ka ndodhur pas Samitit të Parisit, me ç’rast unë dëshiroj të falënderoj Presidentin Macron dhe Kancelaren Merkel për gatishmërinë e tyre që të ndërmjetësojnë që të fillojë procesi i dialogut pas një periudhe të gjatë.
Ashtu siç e kemi thënë vazhdimisht si qeveri, qëndrojmë prapa asaj se dialogu nuk ka alternativë dhe se vetëm përmes dialogut ne mund t’i zgjidhim çështjet që i kemi me Serbinë. Në të gjitha takimet që i kemi pasur deri më tash unë kam prezantuar në emër të Qeverisë së Kosovës, në bazë të kompetencave të mia kushtetuese, platformën e shtetit të Kosovës për procesin e dialogut që ne në këtë proces hyjmë për vetëm një qëllim, që është njohja reciproke dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes të dy vendeve.
Sot kemi arritur pajtueshmëri në parim që të kemi takimin e radhës në Bruksel, të enjten që vjen, që është takimi i parë pas 20 muajsh prejse është ndërprerë procesi i dialogut. Është vlerësuar edhe nga ndërmjetësit e këtij procesi që takimi ka qenë konstruktiv, duke qenë se kemi prezantuar qëndrimin tonë shtetëror dhe jemi të gatshëm të ulemi në çdo tavolinë të dialogut për të mbrojtur shtetësinë e Kosovës dhe për të kërkuar plotësisht normalizim të marrëdhënieve, i cili vjen vetëm pas njohjes reciproke në mes të dy vendeve.