16-vjeçari britanik që u bë milioner nga hakerimet


Një 16-vjeçar nga Oksfordi është akuzuar si një prej liderëve të grupit të krimit kibernetik “Lapsus$”. Adoleshenti kishte grumbulluar një pasuri prej 14 milionë dollarësh duke hakuar dhe u zbulua nga hakerët rivalë, shkruan BBC.

Policia e Londrës tha se kishte arrestuar 7 adoleshentë, por nuk tregoi nëse 16-vjeçari është pjesë e tyre.

Me pseudonimin “White” ose “Breachbase”, adoleshenti i cili ka autizëm mendohet të jetë pas grupit famëkeq të hakerëve “Lapsus$”.

Është një grup i ri, por që mori vëmendje të madhe pas disa sulmeve kibernetike ndaj kompanive gjigante si Microsoft.

Babai i djaloshit tha se nuk kishte pasur fare dijeni dhe se mendonte që djali i tij luante video lojëra.

“Ne jemi përpjekur në mënyrë të vazhdueshme që ta largojmë nga ekranet e kompjuterit ku qëndronte me orë të tëra”, deklaroi ai.