155 udhëtarët e fluturimit Hamburg-Prishtinë arrijnë në Prishtinë, pas aterimit në Beograd

Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka njoftuar se udhëtarët e fluturimit Hamburg-Prishtinë, të cilët për shkaqe teknike u detyruan të ateronin në aeroportin “Nikola Tesla” në Beograd, janë sjellë në Prishtinë paraditen e sotme, në ora 10:00, me operatorin ajror “Eurowings”. 

AACK ka thënë se në bord ishin 155 udhëtarë, raporton Gazeta Stop.

“Gjatë ditës së djeshme, fluturimi i planifikuar nga Hamburg për në Prishtine nga operatori ajror ‘Eurowings’ (Flt.Nr. EW5704), i nisur në ora 14:30 me 155 udhëtarë ne bord, për shkaqe teknike është detyruar të aterrojë ne aeroportin ‘Nikola Tesla’ në Beograd në ora 16:27.

“Operatori ajror Eurowings, menjëherë ka organizuar dhe ka dërguar një aeroplan alternativ (Flt. Nr. EW6005) për të marrë marrë udhëtaret e mbetur në aeroportin e Beogradit, dhe në ora 22:56 ky aeroplan ka fluturuar me udhëtarët e njëjtë për në qytetin e Köln në Gjermani, ku ka aterruar në 00:45 pas mesnatë”, thuhet në njoftimin e AACK-së.

Tutje thuhet se “Autoriteti i Aviacionit Civil dhe institucione tjera shtetërore të Kosovës bashkë me aeroportin e Prishtinës, kanë qenë në komunikim dhe koordinim të vazhdueshëm me operatorin ajror Eurowings për sigurinë dhe mirëqenien e udhëtarëve tanë që ishin në këtë fluturim.

Udhëtarët e kthyer në Köln, operatori ajror Eurowings i ka sjellur në Prishtinë paraditën e sotme në ora 10:00 (Flt. Nr. EW6006)”, thuhet në reagimin e AACK-së.