15 vite burg për burrin që vrau gruan në Suharekë

Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar me 15 vjet burgim burrin që vrau gruan e tij më 2019 në Samadrexhë të Suharekës, transmeton Gazeta Sinjali.

I dënuari I.H sipas aktakuzës, më 31 maj të vitit 2019 në dalje të fshatit Samadrexhë, pasi e kishte nxjerrë nga vetura gruan e tij me inicialet H.D, ia kishte përplasur kokën për asfalti duke i shkaktuar lëndim të rëndë trupor, çka kishte rezultuar fatale për viktimën.

“I ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor personit tjetër, deri në masën e tillë sa që ka rezultuar përveç rrezikimit të jetës edhe me vdekjen e personit tjetër, në atë mënyrë që me dt. 31.05.2019, rreth orës 17:30 minuta, duke drejtuar veturën, në dalje të fshatit Samadrexhë, ku ishte me bashkëshorten e tij, tani të ndjerën H.D., të ulur mbrapa karriges së vozitësit, me të cilën për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme janë fjalosur, e pastaj e ka ndal automjetin në anën e djathtë të rrugës në drejtim të lëvizjes, të njëjtën me forcë e nxjerr jashtë dhe kur dalin jashtë në anën e djathtë të veturës, atëherë fillon ta sulmojë fizikisht duke e grushtuar nëpër të gjitha pjesët e trupit dhe kur tani e ndjera është rrëzuar në asfalt të rrugës, i ‘a kap kokën dhe disa herë e godet për asfalti, ku për rrjedhojë pëson thyerje të kockës zverkore, gjakderdhje masive në cipat e buta trunore, në indin trunor dhe në vertikuj, të cilat dëmtime kanë shkaktuar trauma të shumëfishta në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, lëndime këto të konstatuara në raportin e ekspertizës mjekoligjore, nga të cilat lëndime më vonë e ndjera vdes në QKUK në Prishtinë me datë 15.06.2019”, thuhet në kumtesë.