14 të arrestuarve në “Pika 2” u caktohet masa e arrestit shtëpiak

14 policëve të arrestuar të premten në operacionin “Pika 2” u është caktuar masa e arrestit shtëpia prej një muaji, ka njoftuar Gjykata Themelore në Prishtinë të shtunën.

Sipas Gjykatës, kërkesa e Prokurorisë ishte që të pandehurve t’iu caktohej masa e paraburgimit, por gjyqtari i procedurës e ka refuzuar një kërkesë të tillë.

Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.K, B.H, B.P, B.S, D.Z, F.H, I.I, I.S, N.S, R.K, S.K, S.P, SH.A dhe Z.P e ka refuzuar dhe të njëjtëve ju ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin veç e veç”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Në operacionin “Pika 2” në pranga ranë 26 zyrtarë policorë, prej tyre dy rreshterë. Ata u arrestuan në pikë kalimin kufitar në Vërmicë, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “marrje ryshfeti dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare”.