14 raste të reja me koronavirus, shkon në 1003 numri i të infektuarve

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP), ka njoftuar se janë konfirmuar edhe 14 raste të reja me koronavirus në Kosovë. Në total numri i të infektuarve deri më tani ka shkuar në 1003.

“Sot më 20 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 208 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 14 raste”.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Prizrenit 8 raste (sipas vendbanimit: 8 raste Prizren) dhe komuna e Rahovecit 6 raste (sipas vendbanimit 6 raste Rahovec).

Po ashtu IKSHP-ja ka njoftuar se janë shëruar 3 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 772 raste.

“Nga data 08 shkurt deri më 20 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 12.406 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1003 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”.