14 raste të reja me koronavirus, Prizreni futet në karantinë

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, të dielën mbrëma, ka njoftuar se me ministrin e Shëndetësisë janë pajtuar që Prizrenin ta shpallin zonë karantinë.

Sipas tij, ky vendim është marrë pas konfirmimit se edhe 14 persona janë infektuar me koronavirus.

“Sipas raportit të sotëm të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në komunën e Prizrenit sot për fat të keq kanë rezultuar pozitive edhe 14 raste të reja me COVID-19. Të gjitha këto raste kanë rrjedhur nga kontaktet e rasteve të mëparshme në komunën tonë… Menjëherë pas pranimit të raportit nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, u dakorduam me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, që Prizrenin ta shpallim zonë karantinë”, ka shkruar Haskuka në rrjetet sociale.

Kreu i Prizrenit ka bërë të ditur se aktualisht numri total i rasteve aktive me COVID-19 në Prizren është 19.