Në Spitalin e Vushtrrisë po vazhdon trajtimi i pacientëve me koronavirus, anipse kanë mungesë të stafit infermierik.
Në mesin e të infektuarve me koronavirus në Spitalin e Vushtrrisë “Sheikh Zayed” ka edhe staf mjekësor.
Në përgjigjen e Spitalit të Vushtrrisë për Gazetën Sinjali thuhet se dy mjekë dhe 10 infermierë janë të infektuar me koronavirus.
“2 mjekë, 10 infermierë dhe 2 staf mjekësor të tjerë janë të infektuar me koronavirus”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ditë më parë, punëtorët shëndetësorë të stafit të mesëm të Spitalit të Vushtrrisë kanë protestuar, për arsye se po punojnë në kushte të papërshtatshme.
Sipas tyre janë pak në numër dhe nuk po mund t’ia dalin që t’i kryejnë punët që u janë shtuar, pasi që në këtë spital tashmë trajtohen vetëm rastet për koronavirus.
Ata janë ankuar se nuk janë duke u ndihmuar nga infermierët e qyteteve të Mitrovicës dhe Skenderajt, anipse aty trajtohen të gjithë personat e infektuar të këtij rajoni.
Po ashtu, Spitali i Vushtrrisë në një përgjigje për Gazetën Sinjali ditë më parë ka bërë të ditur se janë duke u përballur me mungesë të stafit infermierik.
“Vështirësi më të mëdha janë me stafin infermierik, ku një pjesë janë në moshë të shtyrë dhe një pjesë kanë probleme shëndetësore. Për këtë arsye, edhe kemi nevojë shumë të madhe për mbështetje të vazhdueshme me staf infermierik”, thuhej në përgjigjen e tyre.