14 persona të cilët gjenden në karantinë në Qendrën e Studentëve e kanë refuzuar ushqimin mëngjesin e sotëm, si shenjë pakënaqësie që nuk po testohen.
Sot është dita e shtatë e qëndrimit të tyre në karantinë dhe thonë se vetë Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia u ka premtuar se do të testohen, raporton Express.
Para dy ditësh, ata i kanë nisur edhe një letër Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitisë, përmes së cilës kanë kërkuar që të lirohen, sikurse që janë liruar 19 persona të tjerë nga kjo qendër, për arsye që ata i konsiderojnë të dyshimta.
“Nga ana tjetër një numër i udhëtarëve janë liruar, për arsye që ne i konsiderojmë të dyshimta (19 persona). Andaj, ne kërkojmë që gjatë ditës së nesërme të gjithë të testohemi për COVID-19, nëse rezultojmë negative të lirohemi. Në të kundërtën konsiderojmë që MSH ka vepruar njëanshëm dhe detyrohemi të marrim masa të tjera”, thuhej në letrën e tyre drejtuar Vitisë.
Për këtë letër, ata kishin pranuar edhe përgjigjen e Ministrit.
Një prej të karantinuarve, Bedredin Guraj, i ka thënë Gazetës Express se Vitia u kishte kthyer përgjigje për kërkesën e tyre, duke i kërkuar që të mos e shpërndajnë dhe u kishte thënë se do të testohen në ditën e shtatë të karantinës.
Thotë se sot kanë refuzuar ushqimin në shenjë pakënaqësie, meqenëse nuk po testohen.
“14 sot kemi refuzuyar ushqimin. Kurkush në mos e shpërndani, brenda shtatë ditëve keni me dal. Ne i kemi shkru Ministrit, edhe ai na ka thanë mos e shpërndani këtë letër dhe se do të testoheni ditën e shtatë, meqenëse ka ndryshu rregulla e karantinës dhe se nëse dilni negative do të liroheni ditën e tetë”, ka thënë Guraj për Express.
Letra e tyre drejtuar Ministrit:
I nderuar z. Vitia, Ministër i Shëndetësisë,
Më lejoni të ju informoj se me datë 2 maj 2020, këmi udhëtuar nga Austria për Kosovë gjithsej 36 persona.
Për më tepër si gjdo qytetar që udhëton për Kosovë jemi vendos në karantinë në QS(për 14 ditë).
Nga ana tjetër një numër i udhëtarëve janë liruar, për arsye që ne i konsiderojmë të dyshimta (19 persona).
Andaj, ne kërkojmë që gjatë ditës së nesërme të gjithë të testohemi për COVID-19, nëse rezultojmë negative të lirohemi.
Në të kundërtën konsiderojmë që MSH ka vepruar njëanshëm dhe detyrohemi të marrim masa të tjera.
Ju faleminderit për mirëkuptim!