Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, ka thënë se shpreson që Kosovës t’i hiqen shpejt masat, edhe nëse kjo ndodh në mënyrë graduale.
Në një konferencë për media të hënën në mbrëmje, Borrelli është pyetur edhe për takimin e liderëve të Kosovës dhe të Serbisë, të ftuar për të mërkurën. Përfaqësuesi që është në fund të mandatit, ka thënë se e ka parë të domosdoshme të rikthehen takimet e nivelit të lartë “për të kuptuar ku jemi”.
“Natyrisht, vazhdoj të përpiqem që dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të arrijë zgjidhje operative. Tashmë e kemi një marrëveshje, kemi marrëveshjet e Ohrit. Problemi është që marrëveshjet duhet të zbatohen. Palët nuk kanë mundur t’i zbatojnë për njërën apo tjetrën arsye. Mendoj se ishte e domosdoshme të vazhdojmë takimet e nivelit të lartë që të kuptojmë ku jemi, sidomos në kohën kur shtetet anëtare po e diskutojnë propozimin tim për t’i hequr sanksionet ndaj Kosovës. Nëse këto sanksione hiqen – shpresoj që po, të paktën ky është propozimi im, edhe nëse gradualisht, por shpejt – mund të krijojnë një skenar në të cilin dialogu, jo që po them se do të vazhdojë, por të paktën s’do të mbyllet në mënyrë të papritur”, ka thënë ai.
Javën e shkuar, përfaqësues të vendeve të BE-së nisën diskutimet për heqjen e masave ndaj Kosovës, në Komitetin për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, ku janë ambasadorët e vendeve anëtare. Masat të cilat i janë vendosur Kosovës një vit më parë pritet që të hiqen gradualisht dhe pjesërisht, teksa kjo do të bëhet e ditur gjatë ditëve në vijim, patën të ditur të enjten për KOHËN disa burime diplomatike në Bashkimin Evropian (BE). Heqja “graduale” e masave, sipas burimeve, është një kompromis i vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pasi që ato nuk janë pajtuar që të gjitha se Kosova i ka përmbushur në tërësi kërkesat e vendosura nga BE-ja. Bazë për diskutim ka qenë raporti i Borrellit.
Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë – nisën detyrën e tyre në komunat në veri. Ndër masat e BE-së janë suspendimi i përkohësisht i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Propozimet e dorëzuara nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimorë (WBIF) nuk janë paraqitur për shqyrtim në Bordin e këtij fondi. Kontratat e reja ku autoritetet e Kosovës janë përfituese tash për tash janë të ndalura. Autoritetet në Kosovë disa herë kanë insistuar se i kanë përmbushur kërkesat për heqjen e masave dhe se situata në veri të Kosovës është shtensionuar, serbët e Kosovës kanë pasur mundësi të votojnë për shkarkimin e kryetarëve të komunave dhe tash, sipas tyre, nuk ka më arsye që të mbahen këto masa.
Borrell në këtë konferencë e ka bërë sërish të ditur se përshtatja e politikës së jashtme është kusht për anëtarësim në BE. I pyetur për deklaratat e zyrtarëve serbë se fillimisht e duan anëtarësimin në BE e më pas përshtatjen e politikës së jashtme, Borrelli ka thënë se “nuk mund të pretendosh të jesh shtet anëtar i BE-së dhe prishës i politikës së jashtme të përbashkët”.
“Ndërtimi i një marrëveshjeje për politikën e jashtme kërkon që shtetet e reja anëtare të ndajnë parimet bazë të kësaj politike të jashtme. Dhe Serbia e di shumë mirë këtë. Është në prej kushteve në rrugën e anëtarësimit në BE”, ka thënë ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen fillimisht me zyrtarët e Bashkimit Evropian, e më pas edhe mes vete. Në njoftimin nga Bashkimi Evropian, bëhet e ditur se takimet do të zhvillohen pasditen e së mërkurës (26 qershor) derisa në lidhje me to do të ketë edhe deklarime nga përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell. Në Kosovë, pushtet e opozitë janë deklaruar skeptikë për rezultatin e takimit.
Për herë të fundit Kurti e Vuçiqi u takuan më 14 shtator të vitit të kaluar, disa ditë para sulmit në Banjskë të Zveçanit. Pas kësaj, për udhëheqësit e Kosovës vazhdimi i dialogut u konsiderua i pakuptimtë, derisa BE-së iu kërkua që të marrë masa ndaj Serbisë, si organizatore e sulmit. Që atëherë Borrelli e emisari për dialog, Miroslav Lajçak nuk patën arritur t’i bindnin palët që të zhvillonin një rund tjetër bisedimesh.
Megjithëse Kurti-Vuçiq qenë dakorduar më 27 shkurt në Bruksel për një marrëveshje 11-pikëshe për normalizim dhe në Ohër për Aneksin e zbatimin e saj, nënshkrimet vazhdojnë të mungojnë për shkak të refuzimit të Serbisë.
Me këtë marrëveshje në nenin 4 ishte arritur pajtimi që Serbia nuk do ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
E me nenin 7 u rikonfirmua se Serbia e fiton ngritjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Bashkimi Evropian vazhdimisht i ka kritikuar palët për moszbatim të marrëveshjes.
Por, konkretisht para një jave Peter Stano e ka akuzuar Serbinë se po e shkel ujdinë, duke iu referuar lobimit serb për mosanëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
Një javë më parë ambasadorë të SHBA-së e të Gjermanisë në Kosovë theksuan se dialogu Prishtinë-Beograd duhet të përfundojë me njohje reciproke dhe se është i paimagjinueshëm anëtarësimi i tyre në BE, pa e njohur pavarësinë e njëra-tjetrës.
Ndërmjetësve të dialogut, Josep Borrell e Miroslav Lajçak, u skadon mandati së shpejti.
Derisa Borrelli do të shërbejë në krye të diplomacisë evropiane deri në vjeshtë, Lajçaku është emëruar ambasador i BE-së në Zvicër, por ai do të veprojë si ndërmjetës në dialog deri sa të gjendet një zëvendësues.