12 të arrestuar, zbulohen punëtoritë që kanë falsifikuar dokumente të ndryshme

Janë arrestuar 12 persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale, pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal që lidhen me kontrabandë me emigrantë, falsifikim i dokumenteve dhe raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve.

Policia e Kosovës ka njoftuar se operacioni policor është realizuar në fund të tetorit të vitit të kaluar dhe në mëngjesin e sotëm.

Në këto dy aksione janë kontrolluar lokacione të ndryshme, kryesisht në Prishtinë e ku janë gjetur punëtori me laborator të pajisura me aparatura dhe materiale që janë shfrytëzuar për prodhimin e dokumenteve të ndryshme të falsifikuara.

Kështu bëri të ditur, Florie Hajra nga drejtoria e divizionit kundër krimit të organizuar.

“Operacioni i parë është realizuar vitin e kaluar më 29 tetor ku janë kontrolluar pesë lokacione të ndryshme, kryesisht në rajonin e Prishtinës dhe janë arrestuar tre persona të dyshimtë. 

Ndërsa në operacionin e sotëm që ka filluar në orët e hershme të mëngjesit janë kontrolluar 12 lokacione dhe janë ndaluar 9 persona të dyshimtë gjatë kontrollimit të lokacioneve janë gjetur punëtori, përkatësisht laborator të pajisura me aparatura dhe materiale që janë shfrytëzuar për prodhimin e dokumenteve të ndryshme të falsifikuara si dhe me qindra dokumente të falsifikuara, si pasaporta, kartela identifikimi, patentë shofer të falsifikuara të gjitha këto nga më shumë se 16 shtete të ndryshme, kryesisht të vendeve të Bashkimit Evropian”, tregoi Hajra.

Tutje, Hajra tregoi se operacionet janë kryer në bashkëpunim me Eruopolin, me Shqipërinë dhe me disa shtete të Bashkimit Evropian. 12 të arrestuarit janë shtetas të Kosovës, ndërsa provat materiale të sekuestruara do të shkojnë për ekzaminim në Agjencinë Forenzika.

Ndërkaq, Prokuroria e Prokurorisë Speciale, Habibe Salihu, tha se aksioni policor nuk është bërë publik përshkak siç ka thënë ajo mund të dëmtohet procesi që ka qenë në vazhdimësi e tutje.