Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë identifikuar 12 raste të reja më COVID-19 nga 174 persona të testuar.
Në komunikimin e përditshëm me publikun dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik bëri me dije se pas një situate të qëndrueshme dhe të stabilizuar të rasteve që kanë kërkuar shërbim spitalor, sot kemi një rritje të rasteve në spitalin infektiv.
Aktualisht janë të shtruar 17 pacientë dhe 5 prej tyre janë në terapi intensive.
“Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 7 raste në Tiranë, 2 në Fier, 2 në Krujë dhe 1 në Durrës. Të shëruar janë 6 qytetarë.
Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 981 qytetarë. Prej tyre, rreth 79% janë të shëruar.
Në vendin tonë aktualisht janë 173 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.
Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14 mijë testime molekulare dhe serologjike. Deri tani janë mbi 1300 testime serologjike në personel shëndetësor dhe pacientë, me një pozitivitet të përgjithshëm rreth 8%”, tha dr. Tomini.