Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë në Britaninë e Madhe në uebfaqen e vet ka të publikuar një plan prej 12 pikash se si të humbni peshë. Ky është sistemi i dytë më i madh shëndetësor në botë. 12 pikat përfshijnë këshilla dietale dhe ushtrimesh.
Mos i ikni mëngjesit
Ikja nga mëngjesi nuk ndihmon në humbjen e peshës. Nuk bën që njeriu t’i shmangë lëndët ushqyese thelbësore dhe mund të përfundojë duke ngrënë më shumë gjatë ditës sepse e kap uria.
Shujtat e rregullta
Ngrënia në kohë të rregullta gjatë ditës ndihmon në djegien e kalorive në shkallë më të shpejtë. Po ashtu redukton nevojën për të konsumuar ushqime me më shumë yndyrë dhe sheqer.
Hani fruta dhe perime
Frutat dhe perimet kanë pak kalori dhe yndyrë dhe janë të larta në fibra – 3 përbërës kyç në humbjen e peshës. Po ashtu përmbajnë shumë vitamina e minerale.
Aktivizohuni
Të qenit aktiv është faktor kyç në humbjen e peshës. Përpos që sjell edhe të mira të tjera shëndetësore, ushtrimet ndikojnë në djegien e kalorive që s’mund t’i humbni përmes dietave.
Pini ujë
Njerëzit shpeshherë ngatërrojnë etjen me urinë. Mund të përfundoni duke konsumuar kalori shtesë kur një gotë ujë është me të vërtetë ajo që ju duhet.
Hani ushqime të pasura me fibra
Ushqimet që përmbajnë shumë fibra mund të ndihmojnë në ruajtjen e ndjenjës së të qenit i mbushur, që është e përsosur për të humbur peshë. Fibrat janë ushqim nga bimët, frutat dhe perimet, tërshëra, buka me drithëra integrale, orizi, pasta, fasulet dhe bizelet.
Lexoni etiketat e ushqimeve
Leximi i etiketave të ushqimeve ndihmon në zgjedhjen e opsioneve më të mira shëndetësore. Përdorni informatat mbi kaloritë për të parë se sa do të ndikojë ushqimi i caktuar në planin për humbje peshe.
Përdorni pjatë më të vogël
Përdorimi i pjatës më të vogël mund të ndihmojë në ngrënien e shujtave më të vogla. Duke përdorur pjata më të vogla, mund të zgjidhni porcione më të vogla e të mos ngelni të uritur. Duhen rreth 20 minuta kohë që stomaku t’i tregojë trurit se është i mbushur plotësisht, andaj hani ngadalë dhe ndaluni para se të ngiheni 100 për qind.
Mos i ndaloni ushqimet
Mos e ndaloni asnjë ushqim nga plani juaj për humbje peshe, sidomos ato që i preferoni. Ndalimi i ushqimit të preferuar vetëm do të bëjë që të vuani për to. S’ka arsye për këtë përderisa i përmbaheni planit të kalorive.
Mos u furnizoni me ushqime jo të shëndetshme
Për të shmangur tundimin, mos u furnizoni me ushqime jo të shëndetshme – çokollatat, biskotat, çipsat dhe pijet e gazuara. Në vend të tyre, merrni ushqime të shëndetshme, fruta, drithëra, kokoshka dhe lëngje frutash.
Reduktoni alkoolin
Një gotë vere mund të përmbajë kalori sa një çokollatë. Në të njëjtën kohë, konsumimi i alkoolit mund të ndikojë në shtim të peshës.
Planifikimi
Përpiquni ta planifikoni mëngjesin, drekën, darkën dhe zamrat gjatë javës, duke u siguruar që t’i përmbaheni kalorive të lejuara.