Shkruan: Milazim Krasniqi
Lidhja Demokratike e Kosovës është formuar më 23 dhjetor 1989 në ndërtesën e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosoves, ku Ibrahim Rugova ishte kryetar, ndërsa Milazim Krasniqi sekretar i asaj shoqate. Emrat e anëtarëve të Këshillit Nismëtar dhe të Kuvendit Themelues janë botërisht të njohur. LDK u masivizua shpejt dhe u bë lëvizje e madhe politike. Gjatë veprimit konkret politik, filluan të shfaqen divergjenca dhe si pasojë ka pasur vazhdimisht fraksionime dhe largime nga LDK. Largimet e para serioze kanë ndodhë në maj 1991, pas Kuvendit të parë të LDK-së.
1. Grupi i parë që doli nga LDK në maj 1991 ishte në krye me Halil Alidemajn, i cili ishte kryetar i Degës së LDK në Prishtinë. Halil Alidema me të larguar të tjerë, më vonë formuan partinë e re UNIKOMB, një parti e profilit nacionalist.
2. Grupi tjetër që u largua nga LDK ne vitin 1993 ishte i një profilit të lartë akademik e intelektual, Prof. Dr. Ejup Statovci, Prof. Dr Ismet Salihu, Prof. Dr Gani Bobi dhe Kadri Halimi.
3. Në Kuvendin e Dytë të LDK të mbajtur në restorantin “SHOU” në Fushë Kosovë, (1994) pati pakënaqësi të reja e madje largime të përkohshme nga partia. U larguan Prof Dr. Fehmi Agani, Edita Tahiri, Anton Kolaj, Rexhep Gjergji. Ata u rikthyen vetëm kur u mundësua inkorporimi i tyre në kryesinë e partisë.
4. Prof. Dr. Shaqir Shaqiri u largua në vitin 1996 nga kryesia e LDK, ku ishte shef i sektorit për politikë të jashtme.
5. Në Kuvendin e Katërt të LDK, në shkurt 1998 pati polemika verbale, Kuvendi mbylli punimet i përçarë. Në grupin e të pakënaqurve ishin Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Basri Musmurati, Zenun Pajaziti, Ramë Buja, Jakup Krasniqi, Fehmi Baftiu, etj.
6. Në vitin 2000 nga LDK ka dalë Milazim Krasniqi, njëri nga themeluesit e partisë dhe Fadil Hysaj, i cili kur u largua ishte anëtar i kryesisë së LDK- në atë kohë.
7. Pas vdekjes së Rugovës në një kuvend ka ardhë deri te ndarja e dhunshme e partisë. Fraksioni i larguar, i udhëhequr nga Akademik Nexhat Daci, ka formuar partinë e re Lidhja Demokratike e Dardanisë.
8. Largimi i Bujar Bukoshit nga LDK pas çlirimit të Kosovës, u pasua me formimin e një partie që quhej “Partia e Re”.
9. Nga LDK u largua në vitin 2004 edhe Ukë Rugova, djali i Ibrahim Rugovës. Bashkë me Astrit Haraçinë ata u bashkuan me Bukoshin në Listën “Lista Ibrahim Rugova.”
10. Largimi i Edita Tahirit, Edi Shukriut, Adnan Merovcit, etj., rezultoi me formimin e partisë Aleanca Demokratike e Kosovës (ADK) në vitin 2004, e cila u drejtua nga Edita Tahiri.
11. Nga LDK është larguar në vitin 2020 edhe grupi i Vjosa Osmanit, Donika Gervallës, Faton Pecit, të cilët tash janë në qeverisje në koalicion me LVV.
Konkuzioni: LDK në fillim ishte formuar si lëvizje e madhe politike ku u futën shumë rryma politike e ideologjike. Vit pas viti e kuvend pas kuvendi kanë ndodhë largime nga LDK-ja, prandaj në këtë aspekt LDK paraqet një rast sui generis. Pavarësisht largimeve, Rugova ka mbetur figura emblematike e LDK-së, jo e atyre që kemi dalë nga LDK-ja.