108 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë

108 vjet më parë në Vlorë është shpallur pavarësia e Shqipërisë. Shqiptarët për shekuj luftuan për çlirimin dhe bashkimin e vendit të tyre. Më 28 nëntor të vitit 1912 ishte formuar Kuvendi Kombëtar i Vlorës, në të cilin u votua akti i shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane.

Më vonë u krijuan edhe Pleqësia dhe Qeveria e Shqipërisë, të cilat filluan punën e tyre, ku formuan forcat e armatosura, filluan punën në sferat e ndryshme si arsim, shëndetësi dhe administratë, transmeton Klan Kosova.

Qeveria e Vlorës përbëhej nga Ismail Qemali, kryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Jashtme, Dom Nikoll Kacërri, Zv.Kryeministër, Mufid Bej Libohova, Ministër për Punët e Brendshme, Abdi bej Toptani, Ministër për Financat, Mehmet Pashë Deralla, Ministër për Luftën (Mbrojtjen), Petro Poga, Ministër për Drejtësinë, Luigj Gurakuqi, Ministër për Arsimin, Mit’hat bej Frashëri, Ministër për Punët Botore, Pandeli Cale, Ministër për Bujqësinë dhe Lef Nosi, Ministër i Post-Telegrafit.