10 këshilla për të ngrënë më shëndetshëm

Viti i ri është moment i mirë për të reflektuar mbi vitin që kaloi dhe për të bërë përmirësime në zakonet ushqimore.

New York Times ka shkruar për 10 këshilla dhe mësime të nxjerra nga studimet e vitit që shkoi që mund të ndihmojnë për të ngrënë më shëndetshëm në vitin 2025.

Dieta DASH e mirë për shëndetin e zemrës

Nëse dikush ka tension të lartë të gjakut, ndjekja e dietës DASH (Dietary Approaches to Stop Hypertension) mund të jetë po aq efektive sa ilaçet. Kjo dietë përfshin perime, fruta, drithëra të plota, produkte qumështi, mish pule dhe peshk, si dhe bishtajore. Sipas studimeve, kjo dietë ndihmon në uljen e tensionit të lartë të gjakut dhe përmirëson shëndetin e zemrës.

Vajrat e farave nuk janë toksikë

Pavarësisht se disa influencerë nëpër rrjete sociale, i quajnë vajrat e farave “toksikë”, studimet tregojnë se konsumimi i vajrave të tillë si vaji i misrit, ai i farës së lulediellit e ai i farës së rrushit, është i lidhur me uljen e rrezikut nga sëmundjet e zemrës dhe diabetit të tipit 2. Ky përfitim është më i theksuar kur këto vajra përdoren për të zëvendësuar yndyrat e kafshëve si gjalpi.

Suplemenet e magnezit mund të jenë të dobishme, por me kufizime

Edhe pse shumë njerëz në SHBA kanë mungesë magnezi, është më mirë të merret ky mineral nga ushqime si fara, arra, perime me gjethe të gjelbra dhe drithëra të plota. Suplementet me magnez mund të ndihmojnë për probleme si migrena, problemet me gjumin, kapsllëkun dhe nivelin e sheqerit në gjak, por studimet janë ende të kufizuara.

Patatet e ëmbla janë burim i shëndetshëm ushqimor

Patatet e ëmbla janë të pasura me kalium (i cili ndihmon për tensionin e gjakut), fibra (që ndihmojnë tretjen) dhe antioksidantë si vitamina A dhe C. Ato nuk shkaktojnë rritje të papritur të sheqerit në gjak, pasi fibrat e rregullojnë procesin e tretjes, duke i bërë ato mundësi të shëndetshme për dietë të balancuar.

Ushqimi i detit si burim i qëndrueshëm i proteinave e yndyrave të shëndetshme

Midhjet, karkalecat dhe ushqimet e tjera të detit janë të pasura me yndyra të pangopura, proteina dhe vitamina të rëndësishme si omega-3, B12 dhe hekur. Guacat kanë ndikim më të vogël negativ në mjedis sesa shumë opsione të tjera ushqimore nga deti. Megjithatë, duhet bërë kujdes nga mundësia e helmimit nga bakteret.

Nuk janë të këqija të gjitha ushqimet e shumëpërpunuara

Ushqimet e shumëpërpunuara shpesh janë të lidhura me shtimin e peshës dhe sëmundjet e zemrës, diabetin dhe demencën. Megjithatë, disa studime sugjerojnë se jo të gjitha këto ushqime janë të dëmshme në të njëjtën mënyrë. Disa mund të kenë përfitime për shëndetin, ndërsa të tjerat mund të jenë të dëmshme për trupin.

Sheqeri mund të shkaktojë më shumë probleme se thjesht kariesi në dhëmbë e shtimi në peshë

Sheqeri është një burim i rëndësishëm energjie për trupin, por kur përdoret në sasi të mëdha përmes ushqimeve dhe pijeve të përpunuara, ai mund të ketë pasoja negative për shëndetin. Mund të ndikojë në zorrë, tru, mëlçi, zemrër dhe nyja, duke shkaktuar probleme të tjera më serioze përveç shtimit në peshë dhe kariesit në dhëmbë.

Alkooli mund t’i dëmtojë zorrët

Nuk është ende e qartë se si konsumimi i alkoolit ndikon saktësisht te zorrët, por studimet sugjerojnë se ata që pinë në mënyrë të tepruar kanë ekuilibër të dobët të baktereve të “mira” dhe “të këqija” në zorrë, çka mund të çojë në inflamacion dhe sëmundje. Po ashtu, konsumimi i tepërt mund të shkaktojë ndryshime që lidhen me dëmtimin e mëlçisë dhe rritjen e dëshirës për më shumë alkool.

Nuk është ideale ushqyerja si Bruce Springsteen

Muzikanti, Bruce Springsteen, ndjek një dietë që quhet OMAD (një vakt në ditë), e cila është një formë ekstreme e agjërimit ndërmjet periudhave të caktuara. Edhe pse ky lloj agjërimi mund të ndihmojë për humbjen e peshës së tepërt, ngrënia vetëm një herë në ditë mund të shkaktojë uri dhe mundësi për të ngrënë më shumë se duhet gjatë drekës ose darkës.

Drithërat e pazakonta ndikojnë në rritjen e fibrave, proteinave dhe antioksidantëve

Shumë njerëz në SHBA nuk konsumojnë mjaftueshëm drithëra të plota dhe shpesh përdorin ato më të zakonshmet si orizi kafe dhe buka. Në vitin 2025, këshillohet të konsumohen drithërat e pazakonta si amaranthi, milleti, sorghumi ose teffi, të cilat janë të pasura me fibra, proteina, vitamina dhe antioksidantë.