10 deputetët që shpenzuan më së shumti për udhëtime në 11 vjet

Armend Zemaj i Lidhjes Demokratike të Kosovës i prin listës së deputetëve që janë kompensuar më së shumti për udhëtimet për pjesëmarrje në seanca plenare e komisione parlamentare në 11 vjetët e fundit.

Sipas të dhënave të publikuara nga Kuvendi i Kosovës dhe përllogaritjeve që u ka bërë KOHA, Zemaj është kompensuar me 25 mijë e 50 euro për udhëtime.

Pas tij, deputetja që është kompensuar më së shumti për udhëtime në këtë periudhë është Duda Balje me 24 mijë e 993 euro.

Teuta Haxhiu e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për 11 vjet u kompensua me 24 mijë e 210 euro. Deputetja tjetër e AAK-së, Time Kadrijaj, është e katërta me 23 mijë e 790 euro të kompensuara.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, është kompensuar me 22 mijë e 800 euro për periudhën sa ishte deputet, deri më 2019. Për të njëjtën periudhë, ish-deputetja Safete Hadërgjonaj u kompensua me 19 mijë e 50 euro.

Dy deputetët nga radhët e komuniteteve, Albert Kinolli dhe Fikrim Damka, vazhdojnë listën me 17 mijë e 760 euro, përkatësisht 16 mijë e 679 euro të kompensuara.