Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi dhe kryetari Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për financimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore në këtë komunë.
Ministri Abrashi tha se investimet infrastrukturore në Komunën e Pejës do të shërbejnë më së shumti për zhvillimin e turizmit, duke lidhur fshatrat e kësaj komune në mes veti.
Abrashi theksoi se kompletimi i infrastrukturës së komunave ka impakt në zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë, duke krijuar edhe vende të reja të punës.
Ndërsa, kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha se memorandumi i nënshkruar sot ka një mori benifitesh në zhvillimin e komunës, veçanërisht në rritjen e turizmit.Ai tha se realizimi i këtyre projekteve ka qenë më se të nevojshme për Pejën, duke përmirësuar edhe më shumë infrastrukturën rrugore. Memorandumi parasheh asfaltimin e disa rrugëve në Komunën e Pejës në vlerë prej 1 milion 400 mijë euro.
Projektet infrastrukturore komunale janë në kuadër të investimeve të reja që i ka parapa Ministria e Infrastrukturës në vitin 2021, që janë gjithsejtë 33 projekte të reja.