Ish-trajneri kampion me KF Tirana 2019/20, Emmanuel Egbo, 50-vjeçar nga Nigeria me shtetësi shqiptare, është emëruar kryetrajner i ri i skuadrës sonë.
Egbo ishte portier i shumë skuadrave, ndër to edhe Bylys e Tirana, kurse më vonë edhe si trajner i portierëve dhe kryetrajner i të dy këtyre skuadrave.
Egbos në punën e tij në ekipin e Prishtinës do t’i ndihmoj nga afër edhe trajneri nga Shqipëria, Eldiano Topi.
𝐄𝐦𝐦𝐚𝐧𝐮𝐞𝐥 𝐄𝐠𝐛𝐨, 𝐤𝐫𝐲𝐞𝐭𝐫𝐚𝐣𝐧𝐞𝐫 𝐢 𝐫𝐢 𝐅𝐂 𝐏𝐫𝐢𝐬𝐡𝐭𝐢𝐧𝐚
“E njoh Prishtinën, është klubi më i madh në Kosovë, nuk diskutohet me trofetë që ka fituar dhe me shumë ngjarjet që ka bërë me futbollin e Kosovës”.
“Nuk ishte shumë e vështirë të pranoja ofertën. Pas shpjegimit të planeve dhe objektivave që ka klubi dhe duke qenë tip që i dua sfidat, duke qenë se kam punuar edhe te Tirana, si kulmi i futbollit në Shqipëri, e di që çfarë presioni kanë klubet si Prishtina dhe nuk e pata të vështirë të pranoja punën. Do të jetë ide e mirë të bashkëpunoj me klubin”.
“Nga afër nuk e njoh ekipin, por kam ndjekur skuadrën edhe në të kaluarën, por edhe tash së fundi, nga pamjet televizive në Shqipëri, por edhe nga video-ndeshjet. Por, objektivat janë të qarta, arritja më e pakët është Evropa, pse jo edhe më lartë, por kjo mund të arrihet vetëm të bashkuar me të gjithë punëtorët e klubit deri te futbollisti më kryesor i skuadrës”.
𝐃𝐫𝐢𝐭𝐨𝐧 𝐊𝐫𝐚𝐬𝐧𝐢𝐪𝐢, 𝐝𝐫𝐞𝐣𝐭𝐨𝐫 𝐬𝐩𝐨𝐫𝐭𝐢𝐯 tha se Prishtina kërkon rezultate. “Normalisht, Prishtina gjithmonë kërkon rezultate dhe rezultatet ishin arsyet që u deshtë të ndanim punët me Currin. Normalisht nuk mund të themi që ishte vetëm faji i Currit, por vendimi gjithmonë bije te trajneri, ky është ligj në futboll”.
“Gjithashtu i uroj mirëseardhje trajnerit të ri, Egbo, me të cilën mendoj se do të bëjë më të mirën që ekipi të arrijë më të mirën për objektivat që kemi. Ekipi është i panjohur për të, por i duhet pak kohë e shkurtër deri sa të arrijë të njoh stafin, lojtarët dhe besoj se do të arrijë të përmbush objektivat e klubit”.